Ata që u dënuan për shkelje të masave gjatë qeverisë Kurti mund t’i kërkojnë dëmshpërblim shtetit

Në kohën kur Albin Kurti po qeveriste, që të parandalohej përhapja e virusit korona, disa komuna ishin futur në karantinë e poashtu ishte kufizuar lëvizja.

E kush i thyente rregullat, gjoba u shqiptonte.Mirëpo të gjithë ata që janë dënuar në atë kohë, nuk do të akuzohen.

Kështu ka vendosur Gjykata Supreme.

Gjykata Supreme nxjerr mendim, shkelësit e masave në qeverinë Kurti, s’mund të akuzohen.

Fillimi i përhapjes së pandemisë në vend, ishte bërë shkak që qeveria Kurti ta kufizoi orarin e lëvizjes.

Me vendim të qeverisë, qytetarëve u ishte ndaluar qarkullimi nga ora 10:00-16:00 dhe nga ora 20:00-06:00.

Ndërsa kishte raste kur ata që nuk përfillen këto masa u arrestuan nga policia e Kosovës.

Madje edhe ka raste kur janë ngritur aktakuza ndaj tyre.

Por, të gjithë ata që janë akuzuar se nuk e kanë respektuar këtë vendim të qeverisë Kurti, nuk do të gjykohen.

Kjo pasi që Gjykata Supreme ka nxjerr një mendim juridik ku konstaton se me këto veprime qytetarët nuk kanë konsumuar vepër penale.

Për këtë arsye, masat ndëshkuese ndaj atyre që nuk përfillën këtë vendim të ekzekutivit, nuk mund të aplikohen.

Megjithatë, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, këtë vendim të organit më të lartë gjyqësor, po e shohin si të stërvonuar.

Qytetarët e arrestuar në mënyrë të kundërligjshme, kanë të drejtë padie.

Mirëpo, shpërblimi për ta është i vogël.

Edhe momentalisht liria e lëvizjes është e kufizuar nga ora 22:30 deri në 05:00 të mëngjesit.