Dalin pamjet me dron të aksidentit tragjik në Bullgari, ja çfarë thonë hetuesit (VIDEO)

Dalin pamjet me dron të aksidentit tragjik në Bullgari, ja çfarë thonë hetuesit (VIDEO)

Mediat bullgare publikuan pamje me dronë të vendit të ngjarjes tragjike, ku u aksidentua e u përfshi nga flakët autobusi me targa maqedonase, duke i marrë jetën 45 personave e duke lënduar 7 të tjerë.

Identifikimi i viktimave do të behet përmes analizave të ADN-së, të cilat do të dalin për dy ditë.

Drejtori i Shërbimit kombëtar të hetuesisë bullgare, Borislav Sarafov dha disa detaje të reja rreth tragjedisë. Sarafov konfirmoi për dnes.bg se ka pasur një shpërthim në autobus.

Ai sqaroi se lista e udhëtarëve të autobusit i është dërguar autoriteteve maqedonase dhe se procesi i identifikimit ka filluar. Bullgaria pret nga Maqedonia që të dërgojë kampionë të ADN-së nga familjarët e të aksidentuarve, që të lehtësohet identifikimi i viktimave”, është shprehur zyrtari bullgar.

Gjatë udhëtimit nga Stambolli për në Shkup, autobusi i kompanisë “Besa Trans” me 52 persona në bord humbi kontrollin dhe është përplasur me barrieta e rrugës e është përfshirë nga flakët. Ngjarja ndodhi në autostradën e Strumas, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek, afër Pernikut.

Disa ekspertë bullgarë thonë se autobusit i ka plasur goma e parë djathtas, e më pas është përplasur me barrierat; në atë moment është derdhur karburanti e ka shpërthyer zjarri që rezultoi fatal për pasagjerët.