E dhimbshme/ Tre vëllezërit shqiptarë humbin jetën nga Covid brenda muajit

Që nga fillimi i pandemisë e deri sot mbi 450 persona kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit në Kosovë.

Në Ferizaj, tre vëllezër kanë humbur jetën nga koronavirusi brenda një muaji në familjen Ymeri.

Ferat Ymeri, Murat Ymeri dhe Berat Ymeri, janë tre vëllezërit që humbën në këtë familje.

Lajmin e ka bërë të ditur deputeti i Kuvendit nga radhët e LVV-së, Hekuran Murati, i cili përmes një postimi në Facebook tregoi se i kishte kushërinj.

“ Virusi tashmë është kthyer në dhimbje për shumë familje. Sepse humbjet nuk janë vetëm statistika, por janë persona me emër e mbiemër, familjarë e prindër të dikujt”, ka shkruar Murati.

Postimi i plotë

“Ferat Ymeri Murat Ymeri Berat Ymeri

Tre vëllezër, kusheri të babit, të cilët virusi i mori brenda një muaji. Tre njerëz të urtë e punëtorë, ashtu siç përshkruhen nga secili që i ka njohur.

Virusi tashmë është kthyer në tragjedi për shumë familje. Sepse viktimat nuk janë vetëm statistika, por janë persona me emër e mbiemër, familjarë e prindër të dikujt.

Fjalët ngushëlluese në një tragjedi të tillë e humbin efektin. Krejt çka mund të bëjmë është të lutemi që familjet të gjejnë forcën për ta përballuar këtë situatë, me shpresën që do të vazhdojnë t’i kujtojnë veprat e mira të më të dashurve të tyre.

Pushoni të qetë kusho!”