Gruaja që mbijetoi nga aksidenti: Më doli gjumi dhe krejt çfarë dëgjova ishte copëtimi i trupit në tokë

Pasagjerët e autobusit që mbijetuan me lëndime të lehta u vendosën në një objekt privat që ofron shërbime hotelerike në qytetin Slavonski Brod, por pak nga ata ishin në gjendje t’i ndanin me gazetarët momentet e përvojës së tmerrshme që e kaluan mëngjesin e sotëm. Njëra prej tyre është një zonjë në të 50-at e saj, e cila tha se deshi ta vizitojë Kosovën pas një kohe të gjatë, raporton Jutarnji list.

Ajo tha se i doli gjumi nga bërtimat e pasagjerëve tjerë, ndërsa shtoi se më pas dëgjoi vetëm copëtimin e trupave në autobusin që u përmbys.

“Çdo gjë ishte e mrekullueshme, shoferët ishin të shkëlqyeshëm, kishte muzikë, këngë… Shoferët u ndërruan në Zagreb dhe ai që e kishte ngasur autobusin deri atëherë shkoi të flinte. Vazhduam rrugën dhe unë rashë për të fjetur, ashtu si shumica prej nesh në autobus. Por papritmas u zgjova dhe e kuptova se diçka e shëmtuar po ndodhte. Unë isha ulur në pjesën e prapme të autobusit, dëgjova udhëtarët e tjerë të bërtisnin dhe në vetëm disa sekonda autobusi u përmbys. E vetmja gjë që mund të dëgjohej ishte copëtimi i trupit në tokë dhe gjërat që ishin mbi ne filluan të na binin përmbi. Diçka më goditi në kokë dhe ende ndiej dhimbje, por nuk është asgjë kur mendoj për kaq shumë jetëra të humbura”, tha një grua që jeton dhe punon në Gjermani për 24 vjet.

Ajo hipi në një autobus në Ulm të Gjermanisë dhe tha se udhëtonte shpesh me këtë kompani turistike.

“Nga rruga, disi gjithçka ishte shumë e mirë, sa që në një moment kisha frikë se mund të ndodhte diçka, por unë menjëherë i përzura mendimet e këqija nga unë. Nuk e di se çfarë ka ndodhur dhe nuk dua ta fajësoj askënd. Unë e di që shoferi nuk e bëri me qëllim”, tha gruaja, bluza e së cilës mbante gjurmë gjaku që nuk ishte i saj, transmeton Express.