Haradinaj: Popull, Ae dini se Hashimi ka diskutuar qosheve për marrëveshje

Haradinaj: Popull, Ae dini se Hashimi ka diskutuar qosheve për marrëveshje

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke folur për marrëveshjen e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha se ai dhe partia e tij duhet të përfshihen në këtë proces, në mënyrë që të mbështesin pastaj një marrëveshje me shtetin serb.

Ai ka insistuar se dikush nga partiakët e tij duhet të jetë edhe pjesë e takimeve në Brkuksel, atje ku kryeministri Hoti takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“A po tingëllon vrazhdë që me hy dy vetë të një qeverie e mos me qenë një edhe i një partie që ka me i qitë votën e ka me i qëndru edhe me i nejtë përball kësaj marrëveshje. Nuk është lojë e fëmijëve kjo çka jam tu fol, nëse nuk e marr seriozisht prej tash çdo germë, se kur vjen një marrëveshje kallet vendi. Unë po du saktë me ditë çka po ndodh, kur po ndodh e si po ndodh”, tha ai në një intervistë.

“Ka tema që kërkohen 2/3, unë e gëzoj të drejtën time me thënë po ose jo, e për me mujtë me thanë po ose jo, po i them që unë duhet me qenë në tavolinë”, deklaroi ish-kryeminsitri.

Ai ka thënë se në takim me kryeministrin Hoti sot gjatë ditës ka kundërshtuar emërimin e koordinatorit shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hysenit. Ndërsa, ka porositur Hotin që mos të punojë i vetëm për çështjen e dialogut me Serbinë.

“I kam thënë kryeministrit me emëru koordinator pa më informuar mua, kam çejf me më informua mua, sepse çështja e dialogut duhet me i informu edhe LVV-në e PDK-në. Kryeministri nuk mundet me shku në qoshe me punu vetëm për temë të dialogut, është temë ndryshe”, tha ai.

Duke folur për mënyrën e koordinimit për dialogun, Haradinaj tha se Hoti nuk duhet të flasë qosheve, siç ka bërë presidenti Hashim Thaçi.

“Kryeministri duhet të ketë kujdes se mbetet vetëm, s’është kërkush me ia mbrojtë në parlament. Për me marrë përgjegjësinë nesër, duhet me ditë a e kemi bë më të mirën. Sepse kur të vjen një marrëveshje në fund, që mundet me ngjallë dyshime e probleme në Kosovë, dikush duhet me i dal përpara. Unë nuk mundem me dal në mbrojtje të një marrëveshjeje që kryeministri im e ka bë qosheve, siç ka ndodhë rasti i Hashimit që ka diskutu qosheve, nuk i dal në mbrojtje”, deklaroi ai.