Në Shtëpinë e Bardhë shkohet për marrëveshje përfundimtare”, analisti zbulon prapaskenat: Është duke punuar shumë fshehtas…

Në Shtëpinë e Bardhë shkohet për marrëveshje përfundimtare”, analisti zbulon prapaskenat: Është duke punuar shumë fshehtas…

Aleksandar Vuçiq dhe Avdullah Hoti
Takimi ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Uashington, nuk do të zhvillohet më 2 shtator siç ishte parashikuar. Takimi është shtyrë për një datë tjetër.

Pjesë e këtij takimi në Uashington mund të jetë edhe presidenti amerikan, Donald Trump. Lidhur me këtë çështje, ka folur analisti i njohur në vend.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Mehmeti, ka bërë një koment lidhur me shtyrjen e takimit në Shtëpinë e Bardhë, i paraparë të mbahet më 2 shtator. Mehmeti, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se janë duke u bërë përpjekje të mëdha nga administrata e presidentit Donald Trump, që të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Po tentohet me çdo kusht që të arrihet marrëveshja, meqenëse edhe për administratën Trump mund të jetë shansi i fundit për të arritur fitore në Ballkan. Me ketë rast, po tentohet që të shtyhet takimi me idenë se mund të kemi marrëveshje, prandaj edhe është shtyrë takimi, edhe mund të shtyhet prapë”, ka thënë analisti Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Analisti potencon se në Shtëpinë e Bardhë po shkohet për marrëveshje përfundimtare, andaj edhe mund të pritet një presion nga nikoqiri për të dy vendet, Kosovën dhe Serbinë.
“Dihet se në Shtëpinë e Bardhë askush nuk shkon për marrëveshje teknike, atje shkohet për marrëveshje përfundimtare, dhe kjo është krejt ideja pse po shkohet në Shtëpinë e Bardhë. Administrata Trump do të bëj presion të madha mbi Kosovën dhe Serbinë që të arrihet marrëveshje, dhe mos të dilet nga Shtëpia Bardhë pa marrëveshje”, ka potencuar ai.

Krejt në fund, njohësi i çështjeve politike, thekson se administrata Trump është duke punuar shumë fshehtas me Prishtinën dhe Beogradin, që mos të dilet nga Shtëpia Bardhë pa marrëveshje politike.

“Po tentohet që edhe Trump të merr pjesë, por vetëm nëse ka arritje të marrëveshje, pra nënshkrim të saj. Personalisht, mendoj se administrata Trump është duke punuar shumë fshehtas me Prishtinën dhe Beogradin, që mos të dilet nga Shtëpia Bardhë pa marrëveshje politike”, tha krejt në fund, analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, kujtojmë që takimi i 2 shtatorit në Uashington besohet të jetë shtyrë për 3 ose 4 shtator. Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka konfirmuar se takimi në mes të Kosovës dhe Serbisë ka gjasa që të shtyhet për datën 3 apo 4 shtator pasi që siç ka thënë ai ka indikacione që në rast se do të ndodh diçka e rëndësishme në takim atëherë edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të futet brenda në takim.

“Negociatat do të jenë për të gjitha çështjet për normalizim, por jo për njohje, janë duke u zhvilluar nën drejtimin e Brukselit, por kjo do të jetë krejt diçka tjetër”, ka thënë Vuçiq.